Lazërin Gjeçaj: Rinia të marrë fatin në dorë më 11 maj – Koalicioni për Shqipërinë Madhështore, zgjidhja për të ardhmen

Sekretari për Rininë në Partinë e Lirisë, Lazërin Gjeçaj, u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që të bëhen pjesë aktive e ndryshimit në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se kjo është një mundësi vendimtare për të kthyer vendin në rrugën e duhur.
Në një deklaratë për mediat, Gjeçaj shprehet se pas një periudhe të gjatë keqqeverisjeje, korrupsioni dhe shkatërrimit të institucioneve, rinia nuk mund të qëndrojë më spektatore, por duhet të angazhohet fuqishëm për të ndalur degradimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Kjo qeveri ka dështuar në çdo drejtim. Ka larguar nga vendi qindra mijëra të rinj, ka lënë universitetet në mjerim dhe ka shkatërruar çdo mundësi për një të ardhme të ndershme dhe të sigurt. Sot, të rinjtë janë më të papërfaqësuar se kurrë më parë”, deklaroi ai.
Gjeçaj theksoi se vota është arma më e fuqishme që ka rinia për të kërkuar ndryshim dhe u bëri thirrje të rinjve që të mbështesin koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, të cilin e cilësoi si një front të bashkuar për drejtësi, zhvillim dhe një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.
Ai theksoi se ky koalicion ka një vizion të qartë dhe plane konkrete për punësimin, arsimin profesional dhe mbështetjen e sipërmarrjes rinore, duke synuar që Shqipëria të mos jetë më një vend nga i cili të rinjtë ikin, por një vend ku ata jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.
“Më 11 maj, votoni për ndryshimin që meritoni. Votoni ‘Partinë Demokratike – Aleancën për Shqipërinë Madhështore’. Votoni Ilir Metaj në qarkun Tiranë!”, përfundoi deklaratën e tij Gjeçaj.