Lajme

Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në qarkun e Korçës nën masa të rrepta sigurie

Ka nisur sot, e hënë, procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në të gjitha Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) të qarkut të Korçës, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sipas informacioneve zyrtare, materialet po shpërndahen për 422 qendra votimi të ndodhura në 7 KZAZ, përfshirë dy në bashkinë Korçë dhe pesë të tjera në bashkitë e tjera të qarkut.

Procesi ka nisur pa problematika dhe po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie të garantuara nga forcat e policisë dhe mjetet e ushtrisë. Materialet përfshijnë kutitë e votimit, fletët e votimit, vulat, pajisjet për identifikimin elektronik (PEI) dhe kamerat e sigurisë për çdo qendër votimi.

Policia do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për ruajtjen e materialeve deri në momentin e shpërndarjes së tyre përfundimtare në qendrat e votimit, çka pritet të ndodhë të shtunën, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.

Kryetari i KZAZ 70 në bashkinë Pogradec, Mondi Mekolli, konfirmoi se materialet nga KQZ kanë mbërritur në këtë KZAZ dhe puna ka nisur për evidentimin e 160 qendrave të votimit që do të funksionojnë në këtë zonë. “Komisionerët janë ngritur dhe do të paraqiten ditën e shtunë për të marrë materialet përkatëse. Në Pogradec do të jenë po të njëjtat qendra votimi që kanë funksionuar edhe në vitet e mëparshme,” deklaroi ai.

Procesi zgjedhor në qarkun e Korçës vijon sipas kalendarit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt votimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button