Kurti: Medresetë te shqiptarët kanë një histori dhe trashëgimi të veçantë

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në këtë konferencë morën pjesë rreth 60 studiues dhe hulumtues, të cilët trajtuan historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve te shqiptarët.
Ai theksoi se studimi i historisë së medreseve ndihmon në ruajtjen dhe njohjen e një tradite të veçantë të shkollave fetare, duke u dhënë atyre vendin e merituar në histori.
“Duke i paraqitur studimet për historinë dhe trashëgiminë e medreseve te shqiptarët, restaurohet dhe rikuperohet një kulturë dhe një traditë e veçantë e shkollave fetare, duke i shkencëruar ato dhe duke u dhënë vendin e merituar në histori”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka përmendur edhe zhvillimet historike të shqiptarëve, duke theksuar se përpjekjet dhe sakrificat ndër vite u kurorëzuan me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia.
“Për fatin e mirë të ne shqiptarëve, dekada të tëra përpjekje e sakrifice, rezistence dhe lufte, u shpërblyen në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore, pasuar nga jetësimi i shtetit që kemi sot”, ka theksuar ai.
Sipas Kurtit, sot medresetë në Kosovë dhe Shqipëri funksionojnë lirshëm, jo vetëm si shkolla fetare, por edhe si institucione edukative dhe shkencore në kuadër të sistemeve arsimore.
Ai shtoi se historia dhe kontributi i këtyre institucioneve tashmë mund të studiohen dhe të njihen lirshëm nga studiuesit dhe të gjithë të interesuarit.



