Rama pas mbledhjes së Komisionit për AKI-në: Situata e sigurisë në Kosovë është stabile

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama ka treguar se situata në Kosovë është stabile sa i përket aspektit të sigurisë, pas raportimit në këtë Komision të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti.
Rama, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së sqaroi se në takim u diskutua për aspektet e sigurisë dhe luftën hibride nga Serbia.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos kërcënimet që mund të vijnë dhe që janë permanente nga ana e Serbisë, luftën kibernetike, që realisht të gjithë jemi të shqetësuar me këtë çështjen e luftës hibride që po ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon edhe më gjerë.” – theksoi ai.
Ai deklaroi se në takim u shpreh edhe gatishmëria e tyre për përkrahje ndaj AKI-së dhe drejtorit të kësaj të fundit, Petrit Ajetit.
Gjithashtu Rama sigurinë e Veriut të Kosovës e konsideroi të rregullt.
“Edhe në pjesën veriore sundon ligji, rendi dhe jemi në rregull. Nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm” – u shpreh tutje Rama.



