Lajme

Kryeministri britanik Keir Starmer viziton Shqipërinë, fokusi në emigracion dhe bashkëpunim kundër trafikut të qenieve njerëzore

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ndodhet sot në Shqipëri në vizitën e tij të parë zyrtare në vend. Ndryshe nga ajo që kanë promovuar mediat qeveritare shqiptare, qëllimi kryesor i kësaj vizite është diskutimi i një plani për të rikthyer në Shqipëri emigrantët që kapen në Britani, njofton gazeta britanike The Sun.

Gjatë takimeve, Starmer do të zhvillojë bisedime mbi bashkëpunimin mes dy vendeve për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të kalojnë Kanalin Anglez. Pas anulimit të skemës së deportimeve në Ruandë, zyrtarët britanikë po shqyrtojnë alternativa, përfshirë një marrëveshje me Shqipërinë për pranimin e emigrantëve të kapur.

Kryeministri britanik do të diskutojë gjithashtu masa të reja për goditjen e trafikut të qenieve njerëzore në rajon, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë moderne si dronët për monitorimin e rrjeteve kriminale që trafikojnë emigrantë. Në këtë kontekst, Starmer dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama, pritet të njoftojnë masa të përbashkëta para samitit evropian që do të mbahet nesër në Tiranë.

Mbretëria e Bashkuar po përballet me një rritje prej 30% të mbërritjeve të emigrantëve nga Franca këtë vit, me më shumë se 12,600 kalime të regjistruara deri tani. Shqipëria, si vend origjine i një numri të konsiderueshëm emigrantësh që përpiqen të kalojnë në Britani, është në qendër të diskutimeve për mënyrat e menaxhimit të këtij fenomeni.

Vizita e Sir Keir Starmer vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për sfidat e përbashkëta në menaxhimin e emigracionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button