Topalli ngre akuza për manipulim masiv të votave në zgjedhje: “90% për PS në Berat, nuk ka logjikë”

Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli, ka ngritur akuza të forta për manipulim të rezultatit zgjedhor në rang kombëtar. E ftuar në emisionin “Opinion”, Topalli solli në vëmendje disa episode që sipas saj dëshmojnë për parregullsi serioze gjatë procesit të numërimit të votave.
“Aty rastësisht u ula përballë ekranit të qarkut të Beratit. Aty vazhdonin numrat 5-5-5 dhe fletët e votimit çonin në 90% të PS-së. Mendova se ishte rastësore, por kutia e dytë kishte të njëjtën situatë. Derisa u mbyll kutia e 13-të, përqindja shkonte nga 85% deri në 90% për PS-në,” – tha Topalli, duke shtuar se situata ishte e njëjtë edhe në ditën e dytë dhe të tretë të numërimit.
Ajo e krahasoi këtë fenomen me rezultatet e sistemit të kaluar diktatorial, duke nënvizuar se “edhe atëherë kishte 98-99%, por të paktën ata që ishin në burg nuk votonin.”
“Askush nuk kërkon fitore në Berat, por 90%?! Unë po flas me logjikë. Nëse më pyet për fakt, kam vetëm logjikën. Matematika është logjikë, dhe kjo nuk ka logjikë,” theksoi ajo.
Topalli hodhi dyshime edhe mbi menaxhimin e votës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke përmendur probleme në kontratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kompaninë postare DHL.
“Në rastin e diasporës në Greqi, KQZ ka bërë një marrëveshje me DHL-në. Kjo kompani ka marrë dy nënkontraktorë, gjë që është e paligjshme. Në tre javë erdhën 17 mijë zarfe, ndërkohë që zyrat ku funksiononin këta nënkontraktorë ishin të lojërave të fatit,” deklaroi ajo.
Deri tani, KQZ nuk ka reaguar mbi këto pretendime.