Zjarri në Pejë dyshohet se erdhi nga një konflikt familjar – dëmet kapin vlerën prej 50 mijë eurosh

Një zjarr i madh përfshiu një biznes të pjesëve të makinave këtë të shtunë në Pejë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas informacioneve fillestare, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy familjarëve.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi për Klan Kosova se incidenti është raportuar rreth orës 11:00 në rrugën “Gani Daci”.
“Dyshohet se deri te zjarri erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy familjarëve, ku njëri prej tyre ka shkuar në pllacin e tjetrit dhe ka vënë zjarr në disa makina që ishin për pjesë rezervë. Sipas viktimës, dëmi i shkaktuar është rreth 50 mijë euro”, tha Gashi.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet përkatëse të Policisë dhe Brigada e Zjarrfikësve, të cilët arritën ta lokalizojnë zjarrin dhe të shmangin përhapjen e tij në zonën përreth.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në zhvillim e sipër.