KQZ fillon votimin me postë për raundin e dytë, pa certifikuar ende rezultatet përfundimtare të raundit të parë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur procesin e votimit me postë për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, ndonëse rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave ende nuk janë certifikuar.
Sipas njoftimit të KQZ-së, periudha e votimit me postë do të zgjasë nga 27 tetori deri më 8 nëntor 2025, dhe vlen vetëm për 29,712 qytetarët e regjistruar jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
KQZ ka bërë të ditur se votimi për raundin e dytë ka filluar në 18 komuna që pritet të shkojnë në balotazh, sipas rezultateve ende të pacertifikuara:
Gjakovë (3,141 votues), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
Deri më tani, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 komuna, ndërsa në tri të tjera – Prishtinë, Junik dhe Mamushë – procesi ende nuk është përmbyllur për shkak të ankesave në PZAP.
I pyetur për arsyen e fillimit të procesit pa certifikimin përfundimtar të raundit të parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se kjo është bërë për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor.
“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë,” tha Elezi.
Ai shtoi se votimi me postë është një proces që kërkon kohë dhe koordinim me shërbimet postare, ndaj çdo ditë vonesë do ta vështirësonte organizimin.
Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025, KQZ ka përgatitur pakot me fletëvotime për secilin votues të regjistruar dhe ka filluar dërgimin e tyre në disa shtete, përmes shërbimeve postare, në adresat e deklaruara nga votuesit gjatë regjistrimit.



