Kosova

Dhoma e Specializuara në Hagë refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për ndryshime në protokollin e kontaktit me dëshmitarët

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi për ndryshime në protokollin e kontaktit me disa dëshmitarë të Prokurorisë, të cilët janë të përfshirë në rastin për krime lufte dhe atë për administrimin e drejtësisë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se protokolli i kontaktit për rastin e krimeve të luftës është më i rreptë, duke kërkuar njoftim paraprak 10-ditor për çdo dëshmitar, pëlqim të informuar nga dëshmitari, video-incizim të kontakteve dhe ndarje të regjistrimeve me palët e tjera dhe trupin gjykues. Sipas mbrojtjes, kjo krijon një “pabarazi të armëve” krahasuar me kornizat e kontaktit në rastin për administrimin e drejtësisë dhe raste të tjera.

Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk ka shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe se çdo ndikim i mundshëm negativ mbi hetimet e mbrojtjes së Thaçit është “hipotetik dhe spekulativ” në këtë fazë të procesit.

Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave gjithashtu kishin kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit. Sipas tyre, ndryshimet e propozuara mund të ndikojnë tek dëshmitarët me status të dyfishtë, si viktima dhe dëshmitarë në rastin për krime lufte.

Ky vendim vjen në kohën kur Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave më 15 prill 2025, ndërsa mbrojtja e Thaçit kishte bërë më parë një kërkesë për rrëzimin e akuzave sipas Rregullës 130, e cila u rrëzua më 16 korrik 2025, pasi trupi gjykues nuk e kishte autoritetin për të rrëzuar akuzat bazuar në kriter kohor.

Mbrojtja e viktimave, ndërkohë, ka paraqitur provat e saj, duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button