KPK refuzon të komentojë thirrjet e Ministrisë së Drejtësisë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka deklaruar se nuk komenton deklaratat apo thirrjet e ekzekutivit, duke iu përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë që KPK dhe KGjK të nisin procedura disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan.
Në një përgjigje për KosovaPress, KPK ka theksuar se është institucion i pavarur dhe i përkushtuar të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat e përcaktuara, duke garantuar respektimin e pavarësisë institucionale dhe parimeve të drejtësisë.
Reagimi i KPK-së erdhi pas kritikave të forta ndaj sistemit të drejtësisë, pasi dy prej të dyshuarve për vrasjen – Mefail dhe Edonis Shkodra – ishin më herët në paraburgim, por u liruan me dorëzani me vendim të Gjykatës, pas një kërkese të Prokurorisë Speciale.
Ministria e Drejtësisë e ka quajtur këtë vendim “të pakuptueshëm dhe të papranueshëm”, duke e cilësuar si neglizhencë të rëndë institucionale me pasoja tragjike. Ajo ka kërkuar përgjegjësi të plotë ligjore, institucionale dhe morale.
I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, person me të kaluar penale për vepra si fajde dhe detyrim, gjendet ende në arrati së bashku me dy djemtë e tij. Autoritetet po vazhdojnë kërkimet.
Ngjarja ka ndodhur në një fundjavë të rëndë për vendin, ku brenda dy ditësh u raportuan pesë vrasje – një vrasje e trefishtë në Gjilan dhe një tjetër në Prizren më 10 gusht, si dhe një tjetër në Hajvali të Prishtinës më 11 gusht.