Kosova përballet me zjarre të shumta, 23 persona arrestohen për zjarrvënie të qëllimshme

Nëntë vatra zjarri mbeten aktive në Kosovë, ndërsa 23 persona janë arrestuar gjatë javës së fundit nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme, njoftuan autoritetet të mërkurën.
Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj, tha në një konferencë për media se Kosova po përballet me zjarre në të gjitha pjesët e vendit. Sipas tij, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 zjarre, prej të cilave aktualisht janë aktive vetëm nëntë.
“Autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar çdo pasojë nga situata e krijuar”, tha Metaj.
Zjarret aktive janë regjistruar në fshatrat Kuqicë, Gojbullë, Mirash, Tugjevc, Gmicë, Muçiverrcë, Negroc, Gadime dhe Vrellë. Ai theksoi se disa prej tyre ndodhen në zona malore dhe bjeshkë të thepisura, duke e bërë ndërhyrjen e zjarrfikësve shumë të rrezikshme.
Një incident i veçantë u regjistrua në fshatin Tugjec, ku zjarrfikësit u ngujuan në mal, por u shpëtuan falë ndërhyrjes së kolegëve të tyre.
Gjendja më kritike këtë javë ishte raportuar në fshatrat Kçiq i Vogël, Zasellë, Meshinë, Tugjec, Dumnicë, Merdarë dhe Orllan. Metaj tha se zjarret në këto zona janë lokalizuar edhe falë ndihmës së misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Banorët e prekur nga zjarret kanë shprehur shqetësim të madh, disa duke thënë se kanë humbur gjithçka.
Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, bëri të ditur se policia ka reaguar për të gjitha rastet e raportuara dhe ka iniciuar 193 procedime lidhur me shkaktimin e rrezikut dhe zjarrvënie.
Metaj gjithashtu theksoi se ka një rritje të numrit të zjarreve në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Kosovë dhe rajoni i Ballkanit po përballen këtë javë me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Situata është e rënduar edhe në vendet fqinje, ku vetëm në Shqipëri janë aktive 30 vatra zjarri, duke shkaktuar edhe një viktimë, ndërsa në Mal të Zi raportohet për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur.
Shkencëtarët e klimës paralajmërojnë se ngrohja globale, e nxitur nga gazrat serrë, po rrit rrezikun e zjarreve dhe katastrofave natyrore. Bota ka shënuar një rritje të temperaturave prej 1.1 gradë Celsius që nga epoka industriale, ndërsa shtetet synojnë të mbajnë rritjen nën 1.5 gradë Celsius për të shmangur katastrofa më të mëdha.