Raporti i DASh-it: Kryeministri i Kosovës i përmendur për gjuhë denigruese ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas publikimit të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024, ku theksohen sfidat me të cilat u përballën gazetarët në vend.
Në raport, ndër të tjera, përmendet se gazetarët në Kosovë kanë hasur vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet publike, si dhe janë përballur me presion dhe sulme denigruese, përfshirë fushata online për t’i diskredituar. Sipas gjetjeve të AGK-së, zyrtarë qeveritarë – përfshirë kryeministrin dhe pjesëtarë të partisë në pushtet – kanë përdorur gjuhë denigruese dhe kanë nxitur dyshime tek publiku mbi punën e mediave.
Raporti thekson se në disa raste janë përdorur fotografi të manipuluara dhe dezinformata për të kërcënuar gazetarë dhe për të minuar besimin e publikut. Po ashtu, zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me institucionet, grupe fetare dhe individë të pakënaqur kanë ushtruar presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve për të mos publikuar materiale të caktuara.
Një tjetër pikë e raportit lidhet me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar më 11 korrik 2024. AGK-ja, Ombudspersoni dhe organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se ky ligj rrezikonte pavarësinë e institucionit. Në kohën e përpilimit të raportit, ligji ishte në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, e cila në mesin e vitit 2025 e shpalli atë antikushtetues.