KOSOVE/ TEKNIKAT E KURTIT PER PRESIDENTIN

Baton Haxhiu
Në politikë Albini dhe VV mund të thonë gjithçka. Dalin në publik dhe thuhet se kërkojnë konsensus, ndërsa përgatisin imponim, dhe Albini thotë se ndan pushtetin; është e kundërta, ai e përqendron. Mund të thuhet se mbron parimin, ndërsa e shkel çdo ditë në praktikë. Këto nuk janë thjesht kontradikta. Janë teknikë e tij e manipulimit.
Pyetja që duhet të bëhet është e njëjta që nga formimi i VV: Pse duhet të mashtrojmë popullin?
Sepse ata tashmë e kanë mënyrë të jetës, dhe është më e lehtë të ndërtosh një rrëfim sesa të përballesh me realitetin. Sepse rrëfimi të jep kontroll mbi perceptimin, kurse realiteti të detyron të japësh llogari. Dhe në një shoqëri të lodhur, rrëfimi fiton më shpesh se e vërteta.
Këtu qëndron forca e Albin Kurtit. Sigurisht, jo domosdoshmërisht në vendime, por në mënyrën si i mbulon ato. Ai nuk e ndërton politikën si proces qeverisës. E ndërton si histori morale dhe rasti i presidentit është ilustrimi më i qartë.
Kur Vjosa Osmani shfaqet në arenën ndërkombëtare dhe fiton profil në politikën e jashtme, krijohet një realitet i ri. Një qendër tjetër legjitimiteti. Një figurë që flet jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë.
Në vend që ky realitet të pranohet, ai riformulohet.
Kurti thotë se i duhet një president i pranueshëm, i propozuar nga opozita. Kjo është fjalia që publiku do të dëgjojë. Pastaj shton se opozita nuk ka vota dhe se nuk mund t’i jepet presidenti dikujt pa vota. Pra, parimi ekziston vetëm si ide. Vendimi mbetet i tij.
Dhe ndërkohë, në një fjali tjetër, e përkufizon presidentin si “zjarrfikës”. Një figurë që nuk hip në avion. Që nuk merret me politikë të jashtme. Kjo është përmbajtja reale e asaj që kërkon.
Pra, kemi një strukturë të pastër manipulimi.
Fjalia e parë krijon moral.
Fjalia e dytë krijon kufizim.
Publiku mban mend të parën.
Pushteti zhaton të dytën.
Ky nuk është gabim. Është metodë.
E njëjta metodë shihet në mënyrën si trajtohen marrëveshjet. Në vitin 2020, marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës u nënshkrua dhe u prish brenda një muaji. Edhe pse përcaktonte qartë se për ministrat e saj vendos vetë partia. Pra, fjala nuk është kufi. Është instrument i përkohshëm.
Sot, në të njëjtën kohë që thuhet se opozita nuk ka vota për presidentin, jepen katër ministri. Pra, kur bëhet fjalë për pushtet real, fleksibiliteti ekziston. Kur bëhet fjalë për simbol institucional, vendoset standard i rremë.
Kjo krijon një efekt të rëndësishëm psikologjik. Publiku nuk e ndjek dot më logjikën. Ndjek ndjesinë.
Dhe këtu hyn komponenti tjetër i fuqisë së tij.
Ai nuk flet për politika. Flet për turp.
Nuk flet për rezultate. Flet për faj.
Nuk ndërton analiza. Ndërton fajtorë.
Figura e “hajnit imagjinar” është pjesë e kësaj strukture. Nuk ka rëndësi kush është konkretisht. Rëndësi ka që rrëfimi të funksionojë. Që publiku të ketë një adresë ku të vendosë zemërimin.
Sepse njerëzit rrallë kërkojnë të vërtetën në formën e saj të plotë. E vërteta është e lodhshme. Kërkon durim. Kërkon përballje me kompleksitetin. Ajo që kërkohet është një përgjigje e shpejtë. Një fajtor i pranueshëm.
Dhe ai e ofron këtë vazhdimisht.
Kjo është arsyeja pse një president aktiv në politikën e jashtme bëhet problem. Sepse nuk hyn lehtë në këtë rrëfim. Nuk kontrollohet përmes të njëjtës gjuhë. Krijon një realitet paralel që nuk i shërben narrativës.
Prandaj kërkohet një president i kufizuar. Një figurë pa profil. Pa zë. Pa ambicie ndërkombëtare.
Sepse pushteti që mbështetet në rrëfim, nuk toleron qendra të tjera rrëfimi.
Në fund, pyetja nuk është pse ai e bën këtë.
Pyetja është pse funksionon.
Dhe përgjigjja është e thjeshtë dhe e pakëndshme.
Sepse në këtë shoqëri, rrëzimi i tjetrit perceptohet si ngritje personale.
Sepse turpi i tjetrit është më i lehtë se përgjegjësia jonë.
Sepse një histori e mirë besohet më lehtë se një e vërtetë e vështirë.
Dhe përderisa kjo vazhdon, mashtrimi nuk është devijim nga politika.
Është forma më efektive e saj.



