Sport

Kosova dhe Shqipëria me më shumë gjasa për Botëror, nëse FIFA zgjeron Kupën e Botës

Kosova dhe Shqipëria mund të kenë më shumë mundësi për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror të futbollit në të ardhmen, nëse FIFA merr vendimin përfundimtar për zgjerimin e turneut më të madh të futbollit në botë.

Sipas “The New York Times”, udhëheqësit e futbollit në Amerikën e Jugut kanë propozuar që numri i pjesëmarrësve në Botëror të rritet në 64 kombëtare. Kjo ide është paraqitur fillimisht nga Uruguai disa muaj më parë dhe tashmë po shqyrtohet nga FIFA, e cila pritet të diskutojë më tej me federatat anëtare.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom, kanë zhvilluar një takim në New York me përfaqësues të federatave të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait, nën udhëheqjen e presidentit të CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, i cili është gjithashtu zëvendëspresident i FIFA-s.

Nëse ky propozim miratohet, ndryshimi do të hyjë në fuqi nga viti 2030. Kupa e Botës ka pësuar rritje të vazhdueshme të numrit të pjesëmarrësve: nga 16 kombëtare fillimisht, në 24, pastaj në 32. Botërori i ardhshëm, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të ketë për herë të parë 48 kombëtare pjesëmarrëse.

Me 64 shtete në garë, mbi 30% e 211 anëtareve të FIFA-s do të kishin mundësinë të luajnë në këtë turne, gjë që automatikisht rrit shanset e Kosovës dhe Shqipërisë për të siguruar pjesëmarrje në këtë ngjarje prestigjioze.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button