Kosova

Gjykata në Prishtinë jep dënime me burg për Sabri dhe Ilir Hamitin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj Sabri dhe Ilir Hamitit, të cilët u shpallën fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në bashkëkryerje.

Sipas vendimit të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Medie Bytyqi, me anëtarë Agim Kuçi dhe Gent Beka, i akuzuari Sabri Hamiti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ilir Hamiti me 1 vit burgim. Në të dy rastet, atyre u llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 20 tetori 2007 deri më 13 shkurt 2008.

Ndërkohë, akuza për armëmbajtje pa leje u refuzua, pasi sipas gjykatës kjo vepër është e përfshirë në ligjin për amnistinë e armëve. Pala e dëmtuar u udhëzua që kërkesën pasurore juridike ta ndjekë në procedurë civile, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Rasti i dy të akuzuarve është kthyer disa herë në rigjykim. Fillimisht, më 26 shtator 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte dënuar Sabri Hamitin me 2 vite burgim dhe 600 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilir Hamitin me 1 vit burgim dhe 800 euro gjobë. Megjithatë, ky vendim ishte anuluar nga Gjykata Supreme më 17 tetor 2012, e cila kishte urdhëruar rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Qarkut të datës 22 tetor 2008, më 20 tetor 2007 në fshatin Sveçël të Podujevës, pas një konflikti të mëparshëm mes familjes Hamiti dhe Kasim Sinanit, Sabri dhe Ilir Hamiti kanë tentuar të vrasin Bajram Cshobacher. Të dy akuzohen se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur në gjurin e djathtë dhe duke shkaktuar dëme në automjetin e tij.

Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm të akuzuarit dhe avokati i Sabri Hamitit, Fitim Limani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button