Kompania holandeze “Modem Works” krijon pajisjen që ilustron ëndrrat me ndihmën e inteligjencës artificiale

Një pajisje inovative që kap dhe shfaq ëndrrat e natës sapo ka dalë në treg nga kompania holandeze “Modem Works”. E quajtur Dream Recorder, kjo teknologji “Bëje Vetë” (DIY) përdor inteligjencën artificiale për të përkthyer ëndrrat në imazhe me “përkufizim ultra të ulët”, të cilat vizualizohen përmes një peizazhi të krijuar nga algoritme të AI-së.
Përdorimi i saj është i thjeshtë: përdoruesi zgjohet nga gjumi dhe përshkruan me zë të lartë ëndrrën e sapo përjetuar, ndërsa pajisja e përpunon këtë rrëfim dhe e shndërron në imazhe që përfaqësojnë përmbajtjen e saj. Pajisja funksionon në çdo gjuhë dhe mund të ndërtohet nga çdokush falë kodit me burim të hapur që Modem Works ka publikuar në GitHub.
Për ndërtimin e saj nevojiten disa pjesë të thjeshta: ekran HDMI, procesor 8GB USB, kartë micro SD dhe një mikrofon që përdoruesi mund ta përshtasë vetë. Kostoja totale e përllogaritur për ndërtimin e pajisjes është rreth 285 euro. Përveç kësaj, pajisja kërkon akses në API-të e hapura të OpenAI dhe LumaLabs për gjenerimin e imazheve, shpenzim ky që llogaritet të jetë më pak se 0.14 dollarë për ëndërr.
Dream Recorder është ndër përpjekjet më të avancuara në ndërthurjen e inteligjencës artificiale me neuroshkencën. Në vitin 2023, një laborator japonez (ATR) zhvilloi një sistem që përdor imazheri MRI për të interpretuar ëndrrat me një saktësi rreth 60%, ndërsa studime të tjera në Singapor dhe Hong Kong kanë prodhuar rezultate të ngjashme.
Ky zhvillim pritet të hapë perspektiva të reja për eksplorimin e ndërgjegjes njerëzore dhe të botës misterioze të ëndrrave.