
Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet takimi i nivelit të lartë mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, i cili është i përqendruar në zbatimin e Planit për Rritje të rajonit. Takimi nisi në orën 9:30 me pritjen zyrtare të liderëve nga kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.
Në orën 10:00 filloi paneli i parë i punimeve, me fjalimet hyrëse nga Mickoski dhe komisionerja për Zgjerim të BE-së, Marta Kos. Në fokus të diskutimeve është Plani për Rritje prej 6 miliardë eurosh i miratuar nga Komisioni Evropian në nëntor 2023, që synon forcimin e integrimit ekonomik të vendeve të rajonit në tregun unik të BE-së dhe ndërmjet tyre.
Në samit marrin pjesë liderë të lartë të vendeve të rajonit, përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit pritet të jetë një nga folësit kryesor në panelin e ditës së sotme.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, përmes një postimi mbrëmë, ndau pamje nga pritja që u organizua për delegacionet pjesëmarrëse. “Shkupi organizon një ngjarje të rëndësishme dhe shfrytëzojmë rastin për të lobuar për interesat dhe politikat maqedonase!”, deklaroi ai.
Plani për Rritje përfshin katër shtylla kryesore: integrimin në tregun e BE-së, krijimin e një tregu të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor, përshpejtimin e reformave kyçe dhe rritjen e asistencës financiare. Për Maqedoninë e Veriut janë ndarë 750 milionë euro nga ky fond.
Samiti dyditor synon të përshpejtojë rrugën drejt integrimit evropian të rajonit dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare.