Komisioneri Celibashi viziton KZAZ-në e Vorës, ndërsa situata tensionohet pas mbërritjes së Flamur Nokës dhe Albana Vokshit

Komisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Celibashi, ka vizituar KZAZ-në e Vorës, ku situata është tensionuar për shkak të presionit të vazhdueshëm të ushtuar nga banda e Xhabaftëve ndaj votuesve në këtë zonë. Ndërsa Celibashi ka mbërritur për të monitoruar situatën, tensioni ka arritur kulmin me mbërritjen e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i shoqëruar nga Albana Vokshi.
Mbërritja e tyre ka shkaktuar reagime të forta nga personat që ndodheshin në zonë, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë ndaj pranisë së tyre në këtë qendër votimi. Situata është përshkallëzuar kur Bert Xhabafti, një nga personat e identifikuar si pjesë e grupit të Xhabaftëve, ka pasur një përplasje verbale me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, duke e pyetur për arsye të pranisë së tij atje.
Flamur Noka ka reaguar duke u kërkuar atyre që të largohen nga qendra e votimit dhe të mos intimidonin votuesit. “Duhet të respektohet procesi zgjedhor dhe çdo tentativë për të penguar votuesit është e papranueshme,” ka deklaruar ai gjatë këtij incidenti.
Kjo ngjarje ka rritur tensionet dhe ka nxitur më tej dyshimet për mundësinë e ndikimeve të jashtme në procesin zgjedhor në këtë zonë. Situata vazhdon të monitorohet nga autoritetet për të garantuar sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.