Vuçiq: Protestuesit në Serbi po përgatisin sulm ndaj Zyrës për Kosovën më 19 shtator

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar se më 19 shtator janë duke u përgatitur protesta të reja në Serbi, të cilat sipas tij do të kenë në shënjestër Zyrën për Kosovën në qeverinë serbe.
Në një intervistë për televizionin TV Pink, Vuçiq tha se një veprim i tillë “duket sikur të ishte urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.
“Ndërsa këta njerëz po rrihnin policinë, ata morën një vendim në Beograd, sikur Kurti t’i kishte urdhëruar ta bënin këtë, për të organizuar një demonstratë më 19, dhe nuk do ta besoni, kundër Zyrës për Kosovën”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiq ka folur pasi u kthye nga vizita e përbashkët në Kinë me presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Ai tha se opozita dhe organizatorët e protestave po tentojnë të destabilizojnë vendin dhe institucionet shtetërore.
Protestat masive kundër regjimit të Vuçiqit po zhvillohen prej muajsh në Beograd dhe qytete të tjera, ku opozita dhe aktivistët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe më shumë liri demokratike.