Përgjimet dhe akuzat e ndërsjella dominojnë skenën politike para zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut

Fushata për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut po shoqërohet nga akuza të ndërsjella, skandale dhe gjuhë e ashpër mes rivalëve politikë, duke lënë në plan të dytë debatin për zgjidhjet reale të problemeve të qytetarëve.
Në bllokun shqiptar, përplasjet mes kandidatëve për kryetar komune në Çair janë intensifikuar. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti akuzoi ish-ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, për lidhje me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa shumica qeverisëse e akuzon Osmanin për keqpërdorim të 1.8 milionë eurove gjatë organizimit të një samiti të OSBE-së. Osmani i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se tenderi është zhvilluar në mënyrë ligjore.
Ndërkohë, opozita dhe qeveria po përplasen për çështjen e përgjimeve të paligjshme. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, denoncoi një skandal të ri me përgjime gjatë viteve 2019–2024, akuza të cilat autoritetet i mohojnë. Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, kërkoi deklasifikimin e informacionit, ndërsa opozita socialdemokrate i bëri thirrje qeverisë të miratojë një rezolutë të përbashkët për integrimin evropian.
Analistët politikë vlerësojnë se dominimi i retorikës negative tregon mungesën e alternativave reale dhe besimit të qytetarëve. “Kjo formë propagande bazohet te logjika ‘unë jam i keq, por kundërshtari është katastrofë’”, tha analisti Xhelal Neziri. Politologu Bllagojçe Atanasovski shtoi se qytetarët tashmë janë mësuar me këtë stil fushate.
Megjithatë, disa kandidatë po përpiqen të zhvillojnë një fushatë pozitive, të bazuar në nevojat konkrete të qytetarëve në komuna. Rundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor.