Jasir Asani drejt Iranit – pritet të firmosë me Esteglalin

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Jasir Asani, është shumë pranë një kalimi në kampionatin iranian. Mediat në Teheran raportojnë se sulmuesi 29-vjeçar ka arritur akordin me klubin historik të Esteglalit, me të cilin pritet të firmosë një kontratë 18-mujore.
E përditshmja “Teheran Times” shkruan se marrëveshja personale mes Asanit dhe klubit iranian është arritur, ndonëse nuk janë bërë publike hollësitë financiare. Megjithatë, besohet se shqiptari nga Shkupi do të përfitojë më shumë sesa në skuadrën e tij aktuale, Gwangju FC të Koresë së Jugut.
Esteglali, një nga klubet më të njohura të Iranit me bazë në Teheran, është 9 herë kampion i vendit dhe fitues i dy titujve të Ligës së Kampionëve të Azisë. Transferimi i Asanit te kjo skuadër mbetet i varur nga një marrëveshje me Gwangju FC, pasi klubi koreano-jugor ka ende kontratë me futbollistin deri në dhjetor të këtij viti dhe kërkon të paktën 1 milion euro për ta lënë të lirë.
Asani ka bërë një sezon të shkëlqyer me Gwangju, duke shënuar 8 gola dhe dhuruar 2 asistime në 21 ndeshje të kampionatit, si dhe 9 gola e 1 asist në vetëm 10 ndeshje të Ligës së Kampionëve të Azisë, ku skuadra e tij arriti deri në çerekfinale.
Më herët, interes për Asanin ka shfaqur edhe klubi japonez Yokohama, por duket se ai ka zgjedhur Iranin si destinacionin e radhës në karrierën e tij.