Inflacioni në Shqipëri shënon nivelin më të lartë në 15 muaj, i nxitur nga çmimet e ushqimeve

Në një devijim nga tendenca sezonale, çmimet në Shqipëri gjatë muajit prill kanë shënuar rritje, ndonëse kjo periudhë zakonisht karakterizohet nga ulje për shkak të daljes në treg të prodhimeve vendase. Këtë vit, performanca e dobët e sektorit të bujqësisë dhe eksporti i një pjese të prodhimeve kanë ndikuar që inflacioni të arrijë në 2.3%, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2024.
Pavarësisht kësaj rritjeje, inflacioni vijon të mbetet nën objektivin prej 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Institucioni qendror monetar vendosi në mbledhjen e fundit të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, ndërkohë që guvernatori paralajmëroi për tendenca ngadalësimi të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2025 arriti në 119.8, krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit ishte 2.3%, nga 2.1% që ishte një vit më parë, ndërsa ndryshimi mujor (krahasuar me marsin 2025) ishte 0.1%.
Rritja e inflacionit është nxitur kryesisht nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat kontribuan me +1.29 pikë përqindje në totalin e inflacionit. Pas tyre vijnë grupet “Mobilje dhe pajisje shtëpie” me +0.24 pikë përqindje dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0.22 pikë përqindje.
Kontribut në rritjen e çmimeve dhanë gjithashtu edhe “Pijet alkoolike dhe duhani” (+0.19 pp), “Argëtimi dhe kultura” (+0.14 pp), “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” (nga +0.10 pp secili). Ndërkohë, çmimet në grupin “Transport” shënuan rënie, duke kontribuar negativisht me -0.16 pikë përqindje.
Kjo ecuri sinjalizon sfida të reja për familjet shqiptare dhe politikëbërësit, veçanërisht nëse trendi i rritjes së çmimeve do të vazhdojë në muajt në vijim.