Lajme

Drejtësia e re, një instrument pushteti? Rasti i Irena Gjokës zbardh fytyrën e vërtetë të reformës

Në Shqipëri, drejtësia është kthyer në një labirint llumi, ku çdo rrugë që kërkon të çojë drejt së vërtetës, të fundos në mjegull, në presion dhe në manipulim. Ajo që dikur u promovua si “reformë e drejtësisë” është kthyer sot në një instrument pushteti — një sistem që shërben interesat politike të regjimit aktual dhe mban gjallë dominimin e tij mbi institucionet dhe qytetarët.

Propaganda zyrtare e qeverisë shqiptare e portretizon reformën si sukses të jashtëzakonshëm, por juristët dhe profesionistët e fushës e kundërshtojnë këtë narrativë, duke e quajtur sistemin e ri një drejtësi politike — një mjet për të garantuar mbijetesën e pushtetit të Edi Ramës. Në prag të zgjedhjeve, drejtësia nuk shfaqet si garant i barazisë dhe ligjshmërisë, por si një vegël për të shantazhuar, burgosur dhe trysnuar opozitën.

Një nga rastet më flagrante që hedh dritë mbi këtë panoramë është ai i gjyqtares Irena Gjoka, emri i së cilës është shndërruar në simbol të krizës së drejtësisë. Gjatë vitit të fundit, opinioni publik ka kërkuar përgjigje të qarta: Kush është Irena Gjoka? Si u lejua të gjykojë çështje të rëndësishme në një institucion kyç të drejtësisë, ndërkohë që kishte një dënim penal të fshehur në Greqi?

Vetëm pas më shumë se një viti heshtjeje, doli në dritë një e vërtetë e rëndë: Gjoka ishte dënuar për shkelje të ligjit në Greqi, por ky dënim ishte fshehur me kujdes nga institucionet shqiptare. Si është e mundur që një person me të shkuar të inkriminuar të kalojë filtrin e vetingut dhe të emërohet në një nga pozitat më të rëndësishme të sistemit?

Kjo zbardhje hedh dyshime serioze mbi vetë SPAK-un, institucionin që supozohet të jetë shtylla e pastrimit të sistemit. Jo vetëm që nuk veproi për të ndaluar këtë emërim të papërshtatshëm, por me heshtjen e tij mbështeti fshehjen e skandalit. A është kjo drejtësia e re që iu premtua shqiptarëve?

Sipas të dhënave, numri i dosjeve penale dhe civile që presin gjykim ka shkuar në 150 mijë, nga 20 mijë që ishte para reformës. Kjo nuk është vetëm shifër alarmante për kohëzgjatjen e dhënies së drejtësisë, por një tregues dramatik për kolapsin e sistemit. Shqiptarët nuk vuajnë vetëm nga vonesat, por edhe nga cilësia e vendimeve, ku shpesh drejtësia nuk jepet, por shitet ose manipulon.

Në një klimë të tillë, ku besimi në drejtësi është në nivelin më të ulët historik, nuk mund të flitet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Misioni i drejtësisë është të garantojë barazi, jo të shërbejë si zgjatim i një partie politike. Me gjyqtare si Irena Gjoka në sistem, dhe me një veting që lejon të inkriminuarit të kalojnë filtrat, çfarë sigurie ka qytetari se do të trajtohet ndershëm në gjykatë?

Rasti i Gjokës është vetëm maja e ajsbergut. Ai kërkon një rishikim të thellë të vetingut, jo vetëm në formë, por në përmbajtje dhe përgjegjësi penale për vendimet e padrejta, për favorizimet, për vonesat dhe për mosveprimet që kanë dëmtuar qytetarë dhe kanë shkatërruar besimin në shtet.

Reforma e re, e projektuar me ndihmën ndërkombëtare, duhet të rifillojë nga e para, këtë herë me më shumë transparencë, më pak ndikim politik dhe pa “sponsorë” të errët ndërkombëtarë. Pa këtë hap të guximshëm, drejtësia do të mbetet një xhungël e pakalueshme, ku nuk mund të ndiqet më as logjika, as arsyeja.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button