Rama ironizon mbi rikthimin e mundshëm të vizës për Berishën: “Tallje e Bufit me lukuninë e Kënetës”

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos përqendrohet në fushatën zgjedhore apo kandidatët e tij, por ka hedhur thumbime dhe ironi ndaj kryedemokratit Sali Berisha, duke reaguar për lajmet e fundit që flasin për një mundësi rikthimi të të drejtës së udhëtimit të Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar këtë lajm si një tjetër “tallje” dhe “iluzion” të krijuar nga, siç e quan ai, “Bufi dhe Këneta”, duke aluduar për manipulim të mbështetësve të opozitës përmes propagandës.
“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…”, shkruan Rama, duke vijuar me tone ironike për perceptimet që, sipas tij, opozita mundohet t’i shesë si realitet.
Ai shton më tej: “Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri.”
Ndërkohë, gazetari amerikan Mark Caputo, përmes një postimi në platformën X, ka deklaruar se i është drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit për të pyetur mbi statusin e vizës së Sali Berishës. Sipas tij, DASh i është përgjigjur se Berisha mund të udhëtojë në SHBA.
Caputo citon zyrën përkatëse të Departamentit të Shtetit:
“Ne japim shpesh përjashtime për të lehtësuar udhëtimet e personave të përcaktuar në SHBA në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare dhe interesat kombëtare. Nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhënia me Shqipërinë të bllokohen nga vendime të politizuara të epokës Biden.”