Incident elektoral në Shkodër, PD akuzon për reprezalje politike: Policia bashkiake tenton mbylljen e zyrës së kandidates Senada Mehmeti

Një incident elektoral është regjistruar këtë të mërkurë në Shkodër, pranë zyrës elektorale të kandidates së Partisë Demokratike për këtë qark, Senada Mehmeti. Sipas deklaratave të saj, policia bashkiake ka ndërhyrë për të mbyllur zyrën në bazë të një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por është përballur me kundërshtimin e kandidates.
Mehmeti e ka cilësuar këtë veprim si një akt reprezaljeje politike, vetëm pak ditë para përfundimit të fushatës zgjedhore. Ajo ka thënë se nuk është marrë asnjë paralajmërim dhe se vendimi është një përpjekje për ta frikësuar atë dhe mbështetësit e saj.
“Erdhën pa paralajmërim për të mbyllur zyrën time, ndërsa zyra e PS-së, disa metra më tutje, vazhdon aktivitetin normalisht. Ky është standard i dyfishtë dhe dhunë ndaj opozitës,” u shpreh Mehmeti, e cila më pas shkoi pranë zyrës së Partisë Socialiste për të denoncuar publikisht atë që ajo e konsideron padrejtësi.
Ngjarja ka shtuar tensionet në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore në Shkodër, një prej qarqeve ku gara pritet të jetë e ashpër.