Bota

Incident dramatik në Slloveni: Deputeti opozitar kërcënon të hidhet nga çatia e Parlamentit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Slloveni, ku deputeti opozitar Andrej Hoivik, përfaqësues i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), është ngjitur në çatinë e ndërtesës së Parlamentit dhe ka kërcënuar se do të vetëhidhej prej andej.

Mediat vendase raportojnë se situata ka alarmuar menjëherë autoritetet, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor. Zjarrfikësit ngritën një shkallë për të arritur në çati, ndërsa pas disa minutash tensioni, Hoivik pranoi të zbresë vullnetarisht, duke iu dorëzuar stafit shëndetësor.

Gjatë ndërhyrjes, deputeti Hoivik deklaroi se “nuk akuzon askënd, madje as kryeministrin Robert Golob”, por shtoi me zë të ngjirur se “ajo që po bëjnë në këtë vend nuk është e drejtë”.

Policia konfirmoi se askush nuk ka pësuar lëndime dhe se rasti po trajtohet si një situatë emergjente që lidhet me një krizë psikologjike. Burime pranë deputetit thanë për mediat se ai kishte shfaqur kohët e fundit shenja të lodhjes së thellë emocionale.

Në një reagim në rrjetet sociale, Partia Demokratike Sllovene shprehu solidaritet dhe mirëkuptim për deputetin, duke shkruar: “Sprovat e jetës ndonjëherë janë shumë të vështira dhe kërkojnë mirëkuptim”.

Ngjarja ka hapur një debat të gjerë publik në Slloveni për shëndetin mendor dhe presionin emocional që përjetojnë figurat publike dhe politikanët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button