Ina Zhupa denoncon gjendjen e turizmit në Sarandë: “Turizëm pa ujë të pijshëm e pa infrastrukturë!”

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur alarmin për situatën shqetësuese të infrastrukturës turistike në Sarandë, gjatë një takimi me biznese vendase. Në një postim në Facebook, ajo theksoi mungesën e kushteve bazë për zhvillimin e turizmit, duke akuzuar qeverinë për mosfunksionimin e impianteve të ujërave të zeza dhe mungesën e përkujdesjes institucionale.
“Turizëm pa ujë të pijshëm! Pa infrastrukturë, pa transport publik, pa jetë kulturore, me gjoba dhe kërcënime për afrofe në tatime dhe taksa”, shkroi Zhupa, duke shtuar se situata është bërë e papërballueshme për sipërmarrësit, të cilët detyrohen të blejnë pajisje të përkohshme për trajtimin e ujërave të ndotura.
Ajo premtoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, kjo gjendje do të ndryshojë rrënjësisht. “Shteti do të marrë përsipër një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike jashtë sezonit. Do të investojmë në kulturë, mbrojtjen e trashëgimisë dhe turizmin gjithëvjetor,” u shpreh Zhupa.
Deputetja shtoi se prioritet do të ketë infrastruktura turistike dhe zgjidhja përfundimtare e problemit të ujërave të zeza. “Do të vendosim flamuj blu në të gjitha brigjet tona. Voto për turizëm madhështor!” përfundoi ajo.