Ilir Meta premton një drejtim të ri për infrastrukturën pas 11 majit: “Çdo lek i taksave do të kthehet në shërbime moderne”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë një deklarate të fortë në kuadër të fushatës elektorale, ka garantuar qytetarët se pas zgjedhjeve të 11 majit, infrastruktura në vend do të njohë një transformim të thellë, të udhëhequr nga transparenca, përkushtimi dhe interesi publik.
Meta kujtoi periudhën kur ishte kryeministër, duke risjellë në vëmendje nisjen e punimeve të superstradës Kapshticë–Korçë në nëntor të vitit 1999, si pjesë e Koridorit të Tetë, një projekt madhor për zhvillimin rajonal.
“Dukeshin sfida të parealizueshme në ato vite, por me përkushtim dhe seriozitet, u realizuan me cilësi dhe çmime shumë më të ulëta se sot, kur Narkoqeveria bën kërdinë me financimet e rrugëve,” – deklaroi Meta.
Sipas tij, qeveria aktuale ka shpërdoruar fondet publike përmes korrupsionit, duke mos ofruar as cilësi dhe as transparencë në projektet infrastrukturore.
Meta theksoi se eksperienca e tij do të vihet në funksion të ndërtimit të “Shqipërisë Madhështore”, ku çdo qindarkë e taksapaguesve do të kthehet në infrastrukturë moderne dhe shërbime për qytetarët.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Meta u bëri thirrje qytetarëve të votojnë më 11 maj për koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe për kandidaturën e tij në Qarkun Tiranë.