Partia e Lirisë: Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ofron alternativën për dinjitet ekonomik dhe mbështetje sociale

Partia e Lirisë, përmes zëdhënëses së Presidentit të saj, Jasmira Memelli, ka deklaruar se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” paraqet një alternativë të qartë dhe të realizueshme për përballimin e varfërisë dhe për garantimin e dinjitetit ekonomik për çdo qytetar shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, Memelli u shpreh se situata ekonomike në vend është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të, sipas saj, keqqeverisjes së Partisë Socialiste, e cila ka braktisur shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. Ajo theksoi se programi i koalicionit PD-ASHM synon vendosjen e një minimumi jetik dhe ndërtimin e një rrjeti të sigurisë sociale që garanton jo vetëm mbijetesën, por edhe një jetë me dinjitet për të gjithë.
“Minimumi jetik nuk është vetëm një shifër financiare, por një standard themelor për jetesën me dinjitet, një të drejtë që çdo shqiptar duhet ta gëzojë”, tha Memelli.
Programi i koalicionit parashikon:
Vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar
Rritjen e pensioneve me 20%
Rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe të pagës mesatare në 1,200 euro
Kthimin e TVSH-së për blerjet bazë përmes Kartës së Konsumatorit, që përllogaritet në rreth 450 euro përfitim në vit
Pagesën e kujdestarëve për personat me aftësi të kufizuara
Uljen e çmimit të energjisë në 7 lekë/kWh dhe të naftës me 35–40%
Faljen e gjobave për energjinë dhe ujin për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare, të papunët dhe biznesin e vogël
Memelli siguroi se ky program është i financueshëm përmes përdorimit më efikas të buxhetit të shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe uljes së luksit qeveritar.
Në përfundim, ajo i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë më 11 maj për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe Ilir Metën si kandidat në qarkun e Tiranës.
“Askush nuk duhet të vuajë për bukën e gojës në një shtet që ka potencial për zhvillim dhe mirëqenie”, u shpreh Memelli.