Hoxha: Hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshohet se erdhën nga Serbia – KFOR mohon

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi sot para mediave se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë, për të cilët dyshohet se kanë hyrë nga territori i Serbisë. Sipas tij, këto raste janë raportuar tek KFOR-i, i cili që nga viti 1999 mban përgjegjësi për sigurinë e hapësirës ajrore të vendit.
“Kohët e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë se po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet,” tha Hoxha, pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.
Një deklaratë të ngjashme kishte dhënë më herët edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka mohuar se ka identifikuar shkelje të tilla. Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR theksoi se monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës dhe se deri më tani nuk ka evidentuar dronë që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit.
“Ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij,” thuhet në reagim.
Misioni i NATO-s theksoi se është thelbësore që çdo aktivitet ajror, veçanërisht pranë vijës kufitare me Serbinë, të koordinohet me ta për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë.
“KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Ai vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in,” thuhet më tej në reagimin e KFOR.



