Haradinaj kritikon ashpër Avni Deharin: “Sjellje e çuditshme, po e kap paniku”

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërthyer në kritika ndaj nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e LVV-së, Avni Dehari, për mënyrën se si po e menaxhon seancat parlamentare. Ai e cilësoi sjelljen e Deharit si të “çuditshme” dhe akuzoi atë për panik në përballje me fjalimet e deputetëve.
“Sjellja e Avni Deharit është e çuditshme. Panika e tij me ua ndalë fjalën e deputetëve është e papranueshme,” deklaroi Haradinaj, duke lënë të kuptohet se liria e fjalës po cenohet në Kuvend.
Sa i përket ftesës për seancën e sotme, Haradinaj u shpreh se ajo përbën një tallje, por theksoi se ka marrë pjesë vetëm nga respekti për institucionin, jo për thirrësit e saj.
Në një koment të drejtpërdrejtë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Haradinaj ishte edhe më i ashpër: “Mashtrues”, e quajti kreun e LVV-së, duke shtuar se “e ka ndarë mendjen që ta bëjë Kosovën keq e më keq.”
Deklaratat e Haradinajt vijnë në një periudhë të tensionuar politike, ku përplasjet verbale mes partive opozitare dhe shumicës qeverisëse janë intensifikuar dukshëm.