Bota

Gjermania shtrëngon politikat e migracionit: hiqet “turbo-natyralizimi” dhe zbatohen rregulla të reja të azilit në BE

Bundestagu gjerman ka miratuar masa të reja për forcimin e politikave të migracionit, duke hequr ligjin e njohur si “turbo-natyralizimi” dhe duke nisur zbatimin e reformës së Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS).

Qeveria e re e Kancelarit Friedrich Merz ka shpallur kufizimin e migracionit të parregullt si një nga prioritetet kryesore. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrint ka paralajmëruar zbatim më të rreptë të ligjeve evropiane për të përshpejtuar dëbimet e personave pa të drejtë qëndrimi apo mbrojtjeje ndërkombëtare.

Heqja e “turbo-natyralizimit” do të prekë jo vetëm emigrantët e rinj, por edhe të huajt që jetojnë prej vitesh në Gjermani. Ky ligj, i miratuar në vitin 2024, kishte lehtësuar marrjen e shtetësisë pas pesë vjetësh qëndrimi, në vend të tetë, dhe kishte synuar tërheqjen e ekspertëve të huaj.

“Tani pasaporta gjermane duhet të jetë shpërblim në fund të integrimit, jo në fillim të tij,” theksoi ministri Dobrint, duke nënvizuar se marrja e shtetësisë brenda tre vitesh nuk do të jetë më e mundur pa njohuri të gjuhës, integrim të plotë dhe pavarësi financiare.

Vendimi ka ndarë opinionin publik: një pjesë e qytetarëve e sheh si domosdoshmëri për kontroll më të mirë të migracionit, ndërsa studiuesit dhe bizneset paralajmërojnë se masa të tilla mund të largojnë punëtorët e kualifikuar që ekonomia gjermane i kërkon me ngulm.

Ndërkohë, Gjermania po avancon me reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit, pjesë e marrëveshjes së BE-së që synon standardizimin e procedurave në kufijtë e jashtëm dhe kthimin e azilkërkuesve në vende të treta të sigurta. Shtetet anëtare kanë afat deri në qershor 2026 për zbatimin e plotë të saj.

Qeveria gjermane po përgatit projektligjin e ri për këtë reformë, ndërsa diskutimet po përqendrohen tek “elementi lidhës”, që përcakton vendin e kthimit të migrantëve. Partitë CDU, CSU dhe SPD kërkojnë heqjen e këtij kufizimi, një linjë që po mbështetet gjithnjë e më shumë edhe nga Komisioni Evropian, i cili propozon fleksibilitet më të madh për shqyrtimin e azilkërkuesve në vende të treta me marrëveshje garancie.

Nëse Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së miratojnë ndryshimet, Sistemi i ri i Përbashkët i Kthimit do të synojë racionalizimin e deportimeve dhe përforcimin e kontrollit të kufijve në mbarë unionin.

Reformat shënojnë një kthesë të fortë në politikën gjermane të migracionit, duke reflektuar qëndrimin më konservator të qeverisë Merz dhe debatin e thellë që po zhvillohet në gjithë Evropën mbi balancën mes sigurisë dhe integrimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button