Bota

Paralajmërime për cunami pas tërmetit 7.4 ballë në Filipine

Paralajmërime për cunami janë lëshuar për disa vende të rajonit aziatik pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi brigjet jugore të Filipineve.

Sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami në Paqësor me seli në SHBA, epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 62 kilometra në juglindje të qytetit Manay, në rajonin Mindanao, në një thellësi prej 22 kilometrash.

Autoritetet thanë se valë cunami deri në 3 metra janë të mundshme përgjatë disa pjesëve të rajonit, përfshirë edhe brigjet e Indonezisë, konkretisht në rajonet Sulawesi dhe Papua.

Instituti Filipinez i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë paralajmëroi për mundësi dëmesh materiale dhe lëkundje pasuese, ndërsa ekipet e emergjencës janë vënë në gatishmëri.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos, tha se autoritetet janë duke vlerësuar situatën në terren.
“Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës po përgatiten tashmë dhe do të nisin sapo të jetë e sigurt për ta bërë këtë. Po punojmë pa ndërprerje për të siguruar që ndihma të arrijë tek të gjithë ata që kanë nevojë”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit.

Tërmeti konsiderohet ndër më të fuqishmit që kanë goditur “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit vitet e fundit — një zonë ku regjistrohen mbi 800 tërmete çdo vit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button