Gjermania cilëson AfD si ekstremiste; Ministria e Jashtme mbron shërbimin sekret pas kritikave nga SHBA

Ministria e jashtme gjermane mbron shërbimin inteligjent pas reagimeve të SHBA-ve. Inteligjenca gjermane e cilësoi zyrtarisht ekstremiste partinë AFD. Prirjet e partisë së dytë më të madhe në Bundestagun gjerman sipas inteligjencës gjermane janë të papajtueshme me rendin demokratike. Kryetarja e AFD tha se partia e saj po kriminalizohet.
Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është cilësuar si ekstremiste e krahut të djathtë nga Shërbimet e inteligjencës së vendit.
“Kuptimi i bazuar në etni dhe prejardhje të njerëzve që mbizotëron brenda partisë është i papajtueshëm me rendin e lirë demokratik,” tha agjencia vendase e inteligjencës në një deklaratë.
Ministria e Jashtme gjermane e mbrojti vendimin, pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio e quajti masën “tirani të maskuar” dhe zëvendëspresidenti JD Vance tha se Muri i Berlinit po rindërtohej.
AfD doli e dyta në zgjedhjet federale në shkurt, duke fituar një rekord prej 152 vendesh në parlamentin me 630 vende, me Bundestagun që do të votojë javën e ardhshme për konfirmimin e Friedrich Merz si kancelar.
Udhëheqësit e përbashkët të AfD Alice Weidel dhe Tino Chrupalla thanë se vendimi ishte “qartësisht i motivuar politikisht” dhe një “goditje e rëndë për demokracinë gjermane”. Ata argumentuan se partia e tyre po “diskreditohej dhe kriminalizohej” pak para ndryshimit të qeverisë.
AfD e ekstremit të djathtë ishte nën vëzhgim për ekstremizëm të dyshuar në Gjermani dhe agjencia e inteligjencës e kishte klasifikuar gjithashtu si ekstremiste të krahut të djathtë në tre shtete në lindje, ku popullariteti i saj ishte më i lartë.
Agjencia, tha në mënyrë specifike se AfD nuk i konsideron emigrantët nga vendet kryesisht myslimane” si anëtarë të barabartë të popullit gjerman.