Bota

Gjermani: Rritet numri i sulmeve me thikë – autoritetet shtojnë masat parandaluese

Në Gjermani është në rritje shqetësuese numri i sulmeve të dhunshme me thikë, çka ka shtyrë autoritetet të ndërmarrin masa më të ashpra për parandalimin e kësaj forme dhune. Që nga tetori i vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi një ligj i ri që ndalon mbajtjen e thikave në hapësira publike si stacionet e trenave, tregjet, festimet publike, autobusët dhe trenat – pavarësisht llojit apo madhësisë së thikës.

Policia është e autorizuar të kryejë kontrolle në këto zona të ndaluara dhe të konfiskojë thikat, si dhe të vendosë gjoba ndaj shkelësve. Falë këtij legjislacioni, autoritetet mund të krijojnë më lehtë “zona pa thika”, duke vepruar në mënyrë parandaluese për të penguar përshkallëzimin e dhunës.

Kriminologia Britta Bannenberg nga Universiteti Justus Liebig në Gießen e konsideron këtë një hap pozitiv, por thekson se kontrollet duhet të përqendrohen veçanërisht në “pikat e nxehta” ku mblidhen të rinj dhe ekziston potencial i lartë për dhunë. Ajo paralajmëron se masa të tilla nuk do të kenë ndikim tek autorët e lidhur me krimin e organizuar apo drogën, që shpesh janë të vendosur të përdorin dhunë.

Pavarësisht masave të reja, siguria nuk është e garantuar plotësisht. Rasti i një 19-vjeçareje të sulmuar në mënyrë të papritur nga një burrë me probleme mendore në Saksoninë e Poshtme, ilustron rrezikun që ende ekziston. Vetëm në këtë land, sipas policisë, regjistrohen mesatarisht tetë sulme me thikë në ditë – në Berlin, numri arrin në dhjetë.

Statistikat e vitit 2024 tregojnë një rritje me 10% të përdorimit të thikës në krimet e dhunshme në krahasim me vitin paraprak. Janë regjistruar mbi 29.000 raste të sulmeve ose kërcënimeve me thikë.

Ekspertët theksojnë se dhuna me thikë është kryesisht një fenomen mashkullor. Sipas kriminologëve, burrat – veçanërisht ata nën moshën 40 vjeç – kanë tendencë më të lartë për të përdorur dhunë, shpesh të lidhur me idenë e forcës dhe maskulinitetit.

Ndërsa origjina luan një rol të caktuar, ekspertët theksojnë se nuk është faktori i vetëm. Përvoja traumatike e migrimit, mungesa e perspektivës dhe integrimi i pamjaftueshëm janë ndër faktorët që mund të ndikojnë në sjelljet e dhunshme.

Në këtë kontekst, kriminologu Dirk Baier kërkon një plan kombëtar veprimi që të përfshijë investime më të mëdha në punën sociale, këshillim për autorët e krimit, fushata kundër dhunës dhe mbështetje për viktimat.

Ndërkohë, Saksonia e Poshtme ka paralajmëruar nisjen e një projekti kërkimor për të kuptuar më mirë shkaqet e këtij fenomeni dhe për të hartuar politika parandaluese më të efektshme. Autoritetet shpresojnë se me përfshirjen e shoqërisë civile dhe institucioneve relevante, mund të frenohet rritja e sulmeve me thikë në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button