Përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – Vetëvendosje kërkon sërish ndryshim të formës së votimit

Sot, në orën 10:00, pritet të mbahet përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që vendi ndodhet në një ngërç institucional për shkak të dështimeve të deritanishme për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, ka dhënë sinjale se do të insistojë sërish në ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar që ai të bëhet me votim të fshehtë. Propozimi ka hasur në kundërshtim të vazhdueshëm nga partitë opozitare: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë për Komisionin e votimit.
Kandidatja e Vetëvendosjes për Kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë asnjëherë më shumë se 56 vota. Për t’u zgjedhur, nevojiten së paku 61 vota. Opozita ka refuzuar përkrahjen për votim të fshehtë, duke argumentuar se rregullat nuk mund të ndryshohen gjatë procesit.
Aktualisht, mungesa e konstituimit të Kuvendit e bllokon edhe formimin e Qeverisë së re. Edhe pse Kushtetuta nuk përcakton një afat të qartë për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve apo betimit të deputetëve, Rregullorja e re parlamentare thotë se ndërprerjet në seancën konstituive nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
Vetëm pasi të zgjidhen Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e Republikës mund të mandatojë kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë që ka numrin më të madh të deputetëve – në këtë rast, Vetëvendosjen. Mandatari ka 15 ditë kohë për ta paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin e saj nga Kuvendi. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr së paku 61 vota.
Në rast të dështimit në votimin e parë, Presidentja ka afat 10 ditë për të emëruar një kandidat tjetër. Nëse dështon edhe përpjekja e dytë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes së tyre.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se Kuvendi shpërndahet automatikisht nëse brenda 60 ditësh nga caktimi i mandatarit nuk arrihet të formohet Qeveria.