Bota

Franca thërret ambasadorin amerikan për akuzat mbi antisemitizmin

Ministria e Jashtme e Francës ka thirrur në takim ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, pas një letre që ai i dërgoi presidentit francez Emmanuel Macron, ku pretendonte se Franca nuk po bënte mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin.

Në një deklaratë të dielën, Ministria franceze e Jashtme e cilësoi letrën e Kushnerit si “të papranueshme” dhe theksoi se autoritetet franceze janë “plotësisht të mobilizuara” për të ndalur rritjen e akteve antisemitike që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Ambasadori Kushner, babai i dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, në letrën e tij kërkoi nga Macroni të “zbatojë ligjet kundër krimeve të urrejtjes pa përjashtim, të mbrojë shkollat hebraike, sinagogat dhe bizneset, dhe të heqë dorë nga hapat që i japin legjitimitet Hamasit”.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, mbrojti Kushnerin, duke theksuar se ambasadori “po bën një punë të shkëlqyer në avancimin e interesave kombëtare të SHBA-së”.

Ministria franceze tha se akuzat e Kushnerit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër dhe bien ndesh me partneritetin transatlantik midis Francës dhe SHBA-së.

Kjo përplasje ndodh pas refuzimit nga Macron i akuzave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se njohja e shtetit palestinez nga Franca po nxit antisemitizmin.

Franca është vendi me popullsinë më të madhe hebraike në Evropë, rreth 500,000 hebrenj, që përbën afërsisht 1% të popullsisë kombëtare.

/REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button