Fitore historike për gazetarinë në Shqipëri: Gjykata Kushtetuese shpall antikushtetuese veprimet e SPAK ndaj gazetarit investigativ

Pas 495 ditësh betejë ligjore për mbrojtjen e profesionit të gazetarit dhe burimeve gazetareske, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka marrë një vendim historik. Me 8 vota pro dhe asnjë kundër, kjo gjykatë ka shpallur antikushtetuese të gjitha veprimet e ndërmarra nga prokurorët e SPAK, gjyqtarët dhe oficerët e BKH-së ndaj gazetarit investigativ, i cili u vu në qendër të një hetimi të nisur më 12 dhjetor 2023.
Gazetari, i cili ka mbi 20 vite eksperiencë në terren, e cilëson periudhën si më të errëtën e karrierës së tij. “E gjithë vëmendja ime u përqendrua në mbrojtjen ligjore dhe në ruajtjen e integritetit profesional, në një betejë ku kundërshtari ishte i vështirë për t’u përballuar,” shprehet ai.
Hetimi, i cili sipas gazetarit nisi si një “vorbull brenda një teke rakije”, kishte si qëllim identifikimin e burimeve të informacionit për rrjedhjet e materialeve sekrete “SKY”. Ai u shoqërua me kontrolle, sekuestrime të sendeve personale dhe një akuzë për “korrupsion pasiv në sektorin privat”, e cila u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit.
“E gjithë farsa e pseudohetimit është shpallur tashmë nul dhe e papërdorshme,” thotë gazetari, i cili thekson se nuk ka kryer asnjë krim tjetër përveç raportimit të saktë dhe të drejtë për çështje të ndjeshme kriminale.
Ai falënderon publikisht gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim të drejtë dhe avokatët Dorian Matlia, Arben Llangozi dhe Teo, të cilët e mbrojtën me përkushtim në të gjitha instancat e drejtësisë shqiptare, deri në Komitetin për të Drejtat e Njeriut në OKB.
Një falënderim të veçantë gazetari i drejton kolegëve që e mbështetën publikisht, përfshirë emra të njohur të gazetarisë si Flamur Vezaj, Anila Hoxha, Artan Hoxha, Aleksandër Çipa e shumë të tjerë.
Ai denoncon faktin se SPAK vijon të mbajë ende në sekuestro rreth 50 dokumente personale, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 16 dhjetor 2024.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet një fitore për gjithë komunitetin gazetar në Shqipëri dhe një leksion i qartë mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe burimeve gazetareske në një shtet që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.