FFK mirëpret Belgin Jasharin pas incidentit racist: Futbolli është hapësirë barazie dhe respekti

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mirëpritur në takim futbollistin e ri, Belgin Jashari i cili ishte pre e dhunës me baza raciste disa ditë më parë.
FFK ka thënë se edhe një herë e dënojnë fuqishëm çdo formë dhune, teksa vendimet për lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas tashmë janë marrë, në përputhje me rregulloret e garave. “FFK është e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues dhe të kujdeset që futbolli të vazhdojë të mbetet një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit. Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë! Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë në përkrahje Ty dhe të gjithë fëmijëve që po rriten si futbollistë në fushat e futbollit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.






