Ferizaj – Ndërpriten shërbimet administrative për shkak të një problemi teknik në sistemin qendror

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se prej ditës së djeshme nuk është në gjendje të ofrojë një sërë shërbimesh administrative për qytetarët, për shkak të një problemi serioz teknik në rrjetin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja e lidhjes me sistemin elektronik qendror ka bërë të pamundur përpunimin dhe lëshimin e dokumenteve të rëndësishme si certifikatat personale, ekstraktet familjare, dokumentet e identifikimit, si dhe të gjitha shërbimet tjera që varen nga ky sistem.
“Pavarësisht përkushtimit maksimal të stafit komunal për ofrimin e shërbimeve pa ndërprerje, kjo situatë është jashtë kompetencës sonë dhe zgjidhja e saj mbetet në duart e autoriteteve qendrore”, thuhet në reagimin e Komunës së Ferizajt.
Autoritetet komunale bëjnë të ditur se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse dhe premtojnë që qytetarët do të informohen menjëherë sapo të rikthehet funksionaliteti i sistemit.
Në fund, komuna apelon për mirëkuptim dhe durim nga qytetarët gjatë kësaj periudhe të përkohshme, duke theksuar se për rastet urgjente qytetarët mund të paraqiten në sportele, ku do të marrin udhëzimet e nevojshme nga zyrtarët përgjegjës.