LDK garon në Prizren me Driton Selmanajn, prezantimi zyrtar nesër në “Lidhjen e Prizrenit”

Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë në garën për zgjedhjet lokale në Prizren me Driton Selmanajn si kandidat për kryetar të komunës.
Kandidatura e tij do të prezantohet zyrtarisht nesër, më 9 korrik 2025, në një ngjarje që do të mbahet nga ora 19:15 te Lidhja e Prizrenit. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Prezantojmë zyrtarisht kandidatin e LDK-së për Kryetar të Komunës së Prizrenit, z. Driton Selmanaj, një figurë e pastër dhe e vendosur për një qeverisje të ndershme dhe afër qytetarëve,” thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Prizren.
Partia ka ftuar qytetarët, aktivistët dhe strukturat e saj që t’i bashkohen kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt një vizioni të ri për qytetin.
“Për Prizrenin – Me Dritonin”, përfundon njoftimi.