Apeli shqyrton kërkesën për rigjykim ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe bashkë të akuzuarve

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur të martën seanca ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dhe tre të bashkëakuzuarve: Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri, të cilët po përballen me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Gjyqtari Mentor Bajraktari bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim ose shpalljen fajtorë të të akuzuarve. Sipas saj, aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore në Prishtinë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, shkelje të Ligjit Penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. PSRK kërkoi gjithashtu që në rast të rigjykimit, të caktohet një trup tjetër gjykues.
Ndërkohë, mbrojtja e të akuzuarve këmbënguli që vendimi i Gjykatës Themelore të vërtetohet. Avokati Arbër Jashari, përfaqësues i Fitim Mustafës, dhe avokati Driton Muharremi, mbrojtës i Ekrem Tahirit, theksuan se nuk është paraqitur asnjë provë që dëshmon se fushata zgjedhore e ish-ministres Hoxha ishte financuar përmes kontratës së MIE-së. Ata e konsideruan të pabazuar ankesën e prokurorisë.
Në seancë munguan të akuzuarit dhe përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale dhe të Prokurorisë së Apelit.
Gjykata bëri të ditur se vendimi do t’u dërgohet palëve në formë të shkruar.
Kujtojmë se më 14 tetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte liruar nga akuza Dhurata Hoxhën dhe tre të tjerët. Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më 12 maj 2022, nën dyshimin se kontrata për informimin rreth liberalizimit të vizave ishte përdorur për qëllime elektorale në vitin 2019.
Ndërkohë, në një rast tjetër ndaj Hoxhës dhe disa zyrtarëve tjerë të MIE-së, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar më 26 shtator 2024 aktgjykimin lirues të dhënë nga shkalla e parë.