Evropa përgatitet për shtator të pazakontë me temperatura shumë mbi normalen

Evropa po hyn në shtator me kushte atmosferike të pazakonta, ku temperaturat pritet të jenë 5 deri në 8 gradë Celsius mbi mesataren 30-vjeçare, sipas të dhënave të Atmospheric G2.
Sipas meteorologëve të Maxar Technologies, zonat më të prekura nga nxehtësia do të jenë Gjermania Jugore, Ballkani, Ukraina dhe vendet baltike. Ky zhvillim vjen pas një vere të mbizotëruar nga valët e nxehtësisë dhe thatësira në juglindje të kontinentit.
Ekspertët theksojnë se ngrohja globale po zgjeron ndikimin e temperaturave të larta edhe në muajt shtator e tetor, duke rritur rrezikun për ngjarje ekstreme të motit, si përmbytje, stuhi të fuqishme dhe zjarre. Megjithatë, kushtet më të buta mund të vonojnë fillimin e sezonit të ngrohjes, një fenomen i ngjashëm me atë të vitit 2023.
Shtatori është një muaj kyç për tregjet e energjisë, pasi kontratat për sezonin e ngrohjes negociohen në fund të tij. Gjatë gushtit, kërkesa e lartë për ftohje çoi çmimet e energjisë në rekorde në Itali, ndërsa dimri shihet si testi më i madh për furnizimin në rajon.
Ndërkohë, thatësira pritet të vazhdojë në disa pjesë të Iberisë, Ballkanit dhe Evropës Lindore. Perspektiva për gjysmën e dytë të muajit mbetet e pasigurt, pasi varet nga ndikimi i Atlantikut të ngrohtë dhe shfaqja e fenomenit La Niña. Historikisht, temperaturat e larta të oqeanit kanë sjellë një shtator më të ngrohtë në Evropë.
Sistemet tropikale nga Atlantiku mund të sjellin surpriza gjatë muajit, duke goditur Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Iberinë me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme. Vetëm javën e kaluar, pasojat e Uraganit Ernesto shkaktuan paralajmërime meteorologjike në Skoci, ndërsa Stuhia Lilian preku brigjet skoceze.