Shtetas serb dhe franceze ndalohen pranë kompleksit të dëshmorëve në Koshare

Në afërsi të kompleksit memorial të dëshmorëve të UÇK-së në Koshare, Policia Kufitare e Kosovës ka ndaluar një shtetas serb dhe një franceze, pas raportimeve të banorëve të zonës.
Dy të huajt po lëviznin me një veturë të tipit Passat me targa të Serbisë, e cila u shoqërua bashkë me ta drejt stacionit policor në Gjakovë. Pas procedurave të verifikimit dhe intervistimit, në konsultim me prokurorin e shtetit, ata u liruan, pasi nuk u gjet asnjë element i dyshimtë.
“Pas intervistimit, shtetasja franceze dhe shtetasi serb janë liruar, sepse është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale”, tha për TV Dukagjini Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Banorët e fshatit Botushë, ngjitur me Kosharen, shprehen të shqetësuar për vizitat e shpeshta të shtetasve serbë në këtë zonë, duke i konsideruar ato si provokime.
“Kjo është hera e 20-të që po na ndodhë. Për neve është një lloj nxitje, sepse kemi të vrarë e të zhdukur, dhe është e papranueshme”, u shpreh një banor lokal.
Në të kaluarën, raste të ngjashme janë shënuar në Koshare, ku shtetas serbë kanë vendosur flamuj të Serbisë pranë emblemës së UÇK-së në kullën e vrojtimit. Gjatë muajit maj, dy shtetas serbë të prezantuar si alpinistë ishin arrestuar në të njëjtën zonë.
Kosharja, e njohur si vendi ku UÇK-ja theu kufirin gjatë prillit të vitit 1999, mbetet një prej pikave më të ndjeshme dhe simbolike të luftës së fundit në Kosovë.