
Gazetari Enton Abilekaj ka komentuar procesin zgjedhor në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një formalitet në një shtet tërësisht të kapur.
I ftuar në SYRI TV, Abilekaj tha se rezultati ishte i parashikueshëm dhe i kontrolluar, ndërsa i gjithë procesi u zhvillua nën ndikimin e fortë të institucioneve të politizuara dhe të një pushteti që kontrollon çdo hallkë të shtetit.
Enton Abilekaj: Mund të themi që ky është një proces zgjedhor ashtu siç e prisnim ne. Dukej paraprakisht. Një proces zgjedhor në një shtet të kapur, rezultati dihet. Zgjedhjet janë një formalitet, fituesi dihet dhe maten të gjitha parametrat me një kujdes shumë të afërt sepse mënyra, teknologjia e zgjedhjeve është e tillë.
Kështu që, nuk ka asnjë gjë të re. E vetmja gjë që ka nga opozita është se priste një rezultat më të mirë. Unë mendoj që ky zhgënjim është i investuar nga vetë opozita. Sepse vetë opozita duke e ditur shumë mirë se ku po futej, duke e ditur shumë mirë se me çfarë po përballej, krijoi një iluzion për të shfaqur një optimizëm në publik se do të mund të mposhtej një regjim nëpërmjet zgjedhjeve, madje nëpërmjet zgjedhjeve të hapura dhe të dukshme të pabarabarta. Kështu që, ky zhgënjim është normal, i paralajmëruar dhe që sot nuk duhet të habitesh fare.
Ne jetojmë në një shtet të kontrolluar nga një parti ose një njeri që kontrollon partinë. Dhe kjo dihet tashmë. Ne shikojmë se si Policia shërben për të manipuluar votat, shërben për të mbështetur njerëzit e partisë në pushtet që merren me shpërndarjen e parave. Pati një rast në Peqin, ku Policia Bashkiake mbushte kutitë me vota. Kjo është për policinë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryekomisioneri që sheh që Kryeministri shkel Kodin Zgjedhor dy ditë para zgjedhjeve dhe nuk guxon as të flasë. SPAK-u që del gjoja bën një task-forcë dhe arreston të gjithë forcat politike opozitare. Gjen ndonjë shkelës ligji që blen vota dhe asnjë nga partia në pushtet. Kur vetë opozita kap hajdutët e partisë në pushtet, ata procedojnë edhe opozitën pse ka bërë vetëgjyqësi, pse e denoncoi ose pse e kapi.
Kemi një shtet të kapur. Në këtë shtet të kapur, rezultati i zgjedhjeve është i kontrolluar.