Edita Tahiri kritikon Vjosa Osmanin: “Një presidente, njëqind versione”

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani lidhur me kërcënimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka vënë në dyshim qartësinë dhe seriozitetin e komunikimit të presidentes, duke ironizuar me numrin e versioneve që, sipas saj, Osmani ka ofruar në konferencën për media.
“Një presidente, njëqind versione – tashmë s’po dihet a Trumpi, a Maqedonci, a KFOR-i apo brifingjet ishin burimi i saj për kërcënimet ndaj Kosovës – as nuk po dihet kush e ndali Serbinë, presidentja, Trumpi, KFOR-i apo Maqedonci – ky diletantizëm i një presidenteje është i paparë”, ka shkruar Tahiri.
Reagimi i saj vjen pas daljes publike të presidentes Osmani, e cila të enjten foli për kërcënimet nga Serbia dhe për rolin e partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e sigurisë së Kosovës.
Ky qëndrim i Tahirit shënon një tjetër përplasje mes figurave të larta politike në vend, në një kohë kur tensionet rajonale janë në rritje dhe kërkohet unitet institucional.