Kosova

Prokuroria kërkon dënim për Betim Reçicën në rigjykimin për korrupsion: Mbrojtja kërkon pafajësi

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u mbajt të enjten fjala përfundimtare në rigjykimin kundër ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, i akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokurorja e çështjes, Habibe Salihu, deklaroi se gjatë rigjykimit janë administruar prova që, sipas saj, vërtetojnë pa mëdyshje fajësinë e të akuzuarit. “Kompensimet financiare të dhëna për punë shtesë nuk kanë qenë të ligjshme dhe kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit”, tha ajo, duke shtuar se veprimet e Reçicës përmbushin elementet e veprave penale për të cilat akuzohet. Prokurorja kërkoi që Reçica të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, duke u theksuar edhe rrezikshmëria shoqërore e veprave të kryera.

Në anën tjetër, mbrojtja e Reçicës, përfaqësuar nga avokati Driton Muharremi, kërkoi aktgjykim lirues. Sipas tij, Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë që plotëson standardin minimal të dyshimit të arsyeshëm. Muharremi tha se veprimet financiare të klientit të tij janë ndërmarrë bazuar në kërkesat e zyrtarit financiar dhe se janë mbështetur nga projektet me BERZH-in dhe Bankën Botërore. Ai shtoi se ekspertizat financiare të pavarura nuk kanë gjetur dëme ndaj institucionit.

“Veprimet e Reçicës nuk përbëjnë vepër penale dhe nuk janë as kundërligjshme administrativisht apo disiplinisht”, theksoi avokati.

Ky proces gjyqësor pason vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila më parë kishte prishur pjesërisht aktgjykimin lirues të Themelores të shpallur më 7 maj 2024, vetëm në pikat që lidhen me Reçicën, ndërsa kishte lënë në fuqi aktgjykimin për pjesën tjetër të të akuzuarve Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Betim Reçica akuzohet për ushtrim ndikimi, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shpëlarje parash, përmes veprimeve që favorizuan operatorin ekonomik “Gjoka Konstruktion” në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, duke anashkaluar ofertën më të favorshme të “Papenburg Adriani”.

Gjithashtu, ai ngarkohet se ka nxjerrë vendime për kompensime financiare të kundërligjshme për zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, duke e dëmtuar buxhetin shtetëror.

Seanca për shpalljen e vendimit pritet të caktohet në ditët në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button