Kosova

Kosova me subjekt të ri politik: Themelohen strukturat e “Forcës së Re Kombëtare” nën udhëheqjen e Ferid Aganit

Në skenën politike të Kosovës ka hyrë një subjekt i ri me orientim konservator, i quajtur “Forca e Re Kombëtare”, e iniciuar nga ish-ministri Ferid Agani. Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se më 14 dhe 17 korrik janë mbajtur mbledhjet konstitutive të Këshillit Organizativ, duke shënuar një hap vendimtar drejt themelimit të këtij subjekti të ri politik.

Sipas njoftimit, mbledhjet janë zhvilluar në një atmosferë serioze dhe bashkëpunuese, me pjesëmarrjen e themeluesve, figurave me përvojë nga jeta publike, akademike dhe politike, si dhe qytetarëve të interesuar për një alternativë të re me vlera të qarta morale, kulturore dhe shtetformuese.

Ndër vendimet kryesore të marra gjatë këtyre mbledhjeve përfshihen:

Miratimi i Rregullores së Punës së Këshillit Organizativ;

Zgjedhja e kryetarit të Këshillit dhe konstituimi i strukturave drejtuese;

Emërimi i përfaqësuesit ligjor për paraqitje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ);

Themelimi i grupeve të punës për hartimin e dokumenteve kyçe si Statuti, Programi Politik, Platforma Ideologjike, Strategjia e Komunikimit Publik dhe ajo Zgjedhore;

Miratimi i Deklaratës Politike të Mbështetjes, e cila përqafon vlerat si familja, tradita, morali, identiteti kombëtar dhe liria individuale, brenda kuadrit kushtetues dhe demokratik.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme ishte bashkimi i Partisë së Drejtësisë me grupin politik të intelektualëve “Integriteti”, me qëllim të krijimit të një subjekti të ri që ndërthur përvojën 25-vjeçare të Partisë së Drejtësisë me vizionin e freskët të partnerëve të rinj, në bazë të barazisë së plotë ndërmjet palëve.

Ky zhvillim hap një kapitull të ri në politikën kosovare, duke synuar të ofrojë një alternativë me baza konservatore dhe orientim të theksuar drejt vlerave tradicionale dhe integritetit institucional.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button