Dyshohet për sulm rus elektronik ndaj avionit të Ursula von der Leyen në Bullgari

Një incident i rëndë ajror ka ndodhur të dielën në Bullgari, kur avionit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu ndërpre sinjali GPS gjatë afrimit për në aeroportin e Plovdivit.
Sipas Financial Times, që citon tre burime të njohura me situatën, rasti po hetohet si një operacion i qëllimshëm i pengimit elektronik nga Rusia. “E gjithë zona e aeroportit mbeti pa sinjal GPS”, tha njëri prej burimeve, duke shtuar se ishte e qartë që bëhej fjalë për ndërhyrje të qëllimshme.
Për afro një orë, avioni qëndroi në ajër, derisa piloti u detyrua të bëjë ulje manuale duke përdorur harta të shtypura dhe mjete analoge të navigimit. Autoriteti bullgar i kontrollit të trafikut ajror e ka konfirmuar incidentin për Financial Times, duke theksuar se prej shkurtit 2022 është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të pengimit dhe manipulimit të sinjalit GPS.
Sipas këtij institucioni, këto sulme cenojnë sigurinë e aviacionit civil dhe sistemeve tokësore, duke krijuar rrezik për aksidente të mëdha. Ndërhyrjet nuk prekin vetëm avionët, por edhe anijet dhe qytetarët që përdorin GPS në jetën e përditshme.
Incidenti ndodhi ndërsa Ursula von der Leyen udhëtonte nga Varshava për në Plovdiv, ku u takua me kryeministrin bullgar Rosen Zhelyazkov dhe vizitoi një fabrikë municioni, pjesë e turneut të saj në vendet në vijën e parë të përballjes me agresionin rus në Ukrainë. Pas vizitës, ajo u largua nga Plovdivi me të njëjtin avion pa probleme.
Në një konferencë për shtyp pas ngjarjes, von der Leyen u shpreh ashpër ndaj Moskës:
“Putini nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Ai është një grabitqar. Mund të ndalet vetëm me një reagim të fortë dhe vendosmëri.”
Vendet anëtare të BE-së kanë paralajmëruar prej kohësh për rritjen e rasteve të ndërhyrjeve të GPS-it në Evropën Lindore dhe vendet baltike, duke e cilësuar këtë si një kërcënim serioz për sigurinë ajrore dhe civile.