Dy të rinj shqiptarë në gjendje të rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në Mbretërinë e Bashkuar

Dy të rinj shqiptarë kanë pësuar lëndime të rënda pas një shpërthimi të ndodhur në banesën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas njoftimit të Ambasadës së Shqipërisë në Londër, ngjarja ka ndodhur dy netë më parë, si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, që ka shkaktuar dëmtime serioze në trupat e të rinjve.
Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Birminghamit, ku aktualisht ndodhen nën kujdes intensiv dhe po marrin trajtim të specializuar mjekësor.
Ambasada shqiptare ka ndërmarrë menjëherë veprimet për të ndjekur nga afër situatën. Dy përfaqësues të saj kanë vizituar të rinjtë në spital dhe kanë vendosur kontakt të vazhdueshëm me autoritetet britanike dhe palët përkatëse, për të garantuar mbështetjen e nevojshme.
Ambasada ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar familjarët e të prekurve dhe për të ndjekur çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore.